Për javën në vijim vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, si një javë “normale” në stinën e vjeshtës me ditë me diell, por pa munguar edhe ditët me shi.
Kjo situatë vjen si pasojë e alternimeve mes anticikloneve, shoqëruar me masa ajrore të ngrohta me origjinë jugore dhe kalimeve (të shpejta) të fronteve të ftohta, shoqëruar me masa ajrore të lagështa dhe më të freskëta.
Në këtë mënyrë, për ditën e Hënë dhe atë të Martë moti parashikohet i kthjellët si dhe me vranësira të pakta kalimtare.
Për ditën e Mërkurë, mbi vendin tonë pritet kalimi i një fronti të ftohtë ndërsa moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar në një pjesë të madhe të territorit.
Në zonën e veriperëndimit, reshjet do të jenë me intensitet deri dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Ditën e Enjte, moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira deri të dendura. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme (ndërprerje) me intensitet të ulët.
Ashtu si për ditën e Mërkurë edhe për ditën e Premte moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu, të cilat deri në orët e mesditës do të jenë me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formë shtrëngatash.
Në veriperëndim dhe pjesërisht në qendër, reshjet me intensitet deri dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Pavarsisht ditëve (apo më saktë orëve) me shi përgjatë ditëve të caktuara; temperaturat në vlerat e mesditës do të mbeten relativisht të larta në vlerat 27-29 gradë celcius për shkak të masave ajrore me origjinë jugore (aktiviteti i pazakontë i Anticiklonit Afrikan).