Një 16-vjeçar shqiptar humbi jetën nga flakët e zjarrit, që përfshinë një ndërtesë në kufirin mes Belgjikës e Luksemburgut raportojnë mediat e huaja.
Bëhet fjalë pêr 16-vjeçarin nga Shkodra, Arsid Muça.
Afro dy muaj më parë, një i njohur e tërhoqi të riun për të punuar atje si emigrant, duke qenë se familja Muça përballej me probleme ekonomike, por e gjitha u kthye në një tragjedi.
Në rrethana ende të paqarta, raportojnë mediat e Luksemburgut, një godinë në qytetin e Bastogne u shkrumbua nga një zjarr që u përhap me shpejtësi.
16 vjeçari ndodhej në gjumë dhe nuk ka arritur që të dalë, duke u djegur brenda.
Daja i tij, Fatmir Delaj rrëfen se viktima u detyrua të emigrojë në atë moshë të re, duke mos vijuar shkollën e mesme për të ndihmuar familjen.
Komshinjtë në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër janë po aq të pikëlluar për këtë ngjarje të 16-vjeçarit që u dogj brenda ndërtesës.
Ata thonë se Arsidi ka punuar që 13 vjeç për t’iu bërë krah familjes, derisa emigroi si një dritë jeshile e cila u kthye në një tragjedi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 18 janarit në ndërtesën e quajtur Titanic në Bastogne të Luksemburgut.
Zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje duke shuar flakët, por Arsid Muça nga Shkodra nuk arriti të shpëtojë duke humbur jetën.
Autoritetet e Luksemburgut vijojnë hetimet për ngjarjen dhe më pas do nisin procedurat për të sjellë trupin e viktimës në Shqipëri.
Familja Muça nuk ka mundësi ekonomike për të mbuluar shpenzimet ndërsa pritet të shihet nëse dikush do t’i vijë në ndihmë.