Një 42-vjçear ka rënë në prangat e policisë në Kamzë mëngjesin e sotëm, pasi akuzohet se ka tentuar të mashtrojë një biznes, për të përfituar shumën 200.000 euro.

Mësohet se 42-vjçeari Arjan Ballcaj është paraqitur pranë biznesit si zyrtar i lartë shtetëror, duke i bërë presion në mënyrë që të merrte paratë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 automjet dhe 1 celular, teksa po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, pasi dyshohet se 42-vjeçari nuk vepronte i vetëm

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Replay 2”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 6, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Sekuestrohet 1 automjet dhe 1 celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Replay 2”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të një shtetasi i cili ka tentuar të mashtrojë një biznesmen, për të përfituar një shumë të madhe parash.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit A. B., 42 vjeç, banues në Kamzë. Ky shtetas ka tentuar të mashtrojë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 200 000 euro, duke u prezantuar si zyrtar i lartë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 automjet dhe 1 celular. Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.