Një aksident me pasojë plagosjen e një të mituri ka ndodhur këtë të premte në Burrel.
Mësohet se një mjet i blinduar i ‘Breçani Security’, që transporton paratë nga kompani të ndryshme, ka përplasur një të mitur që ka qenë duke kaluar në rrugë.
Policia ka vënë në pranga shoferin e mjetit, dhe vijon hetimet për aksidentin.
Njoftimi i policisë:
Me datë 01.12.2023, në qytetin e Burrelit, shtetasi H.H., 46 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, (i një shoqërie private që meret me transportimin e vlerave monetare) dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka aksidentuar një fëmijë të mitur. I mituri po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po kryen hetimet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.