Në rastet kur një uniformë e konsideruar për meshkujt, vishet nga vajzat shihet me një tjetër lupë.

Vajzat me uniformë tashmë janë pjesë e disa institucioneve ligjzbatuese, por nuk i shpëtojnë dot paragjykimeve. Anisa Zani, një prej punonjëseve të Policisë Rrugore shpjegon për “Aldo Morning Show” në Tv Klan si është të jesh një vajzë në radhët e policisë.

Anisa Zani:Çdo punë ka vështirësitë dhe bukuritë e veta megjithëse këtu është pak më  e vështirë sepse prezenca e femrave në polici është pak më e rrallë dhe kjo e bën pak më tëë vështirë sepse njerëzit akoma nuk janë mësuar ose të gjykojnë prej gjinisë, thonë ti nuk mund ta bësh, ti je femër, megjithatë ngelet një punë e bukur.

Të jesh një nga vajzat me uniformë nuk të shpëton nga përballja me “të fortët” në timon, por sipas Anisës ka një frazë që vlen edhe për ta.

Anisa Zani:Na kanë ndodhur si situata, nuk është se nuk na ka ndodhur, ne e kemi bërë punën dhe e kemi bërë me integritet, nuk kemi rënë pre e provokimeve, duhet të jesh e qetë dhe t’i thuash që ligji është i barabartë për të gjithë.

E megjithëse kërcënimet e tyre mbeten thjesht fjalë, kamerat e celularëve nuk janë diçka e panjohur për punonjësit e policisë. Anisa shpjegon se është një e drejtë qytetare ndërsa mbetet përgjegjësi e punonjësit për të reflektuar seriozitet.

Anisa Zani:Është pak e sikletshme dhe kjo pjesa, por në qoftë se ne.., unë personalisht në qoftë se e bëj punën me seriozitet, nuk kam asnjë gjë për të fshehur, e ka si të drejtë qytetari.

Anisa ka marrë pjesë edhe në operacionin policor në Lazarat, ku lë të kuptohet se nuk ka munguar paragjykimi për gjininë.

Anisa Zani:Mbaj mend që kam marrë pjesë te operacioni kur është bërë në Lazarat, ndërhyrjen që kemi bërë. Ka qenë një ndër operacionet më të vështira, plus fakti që isha femër, situata nuk dihej si do merrte, megjithatë e kaluam me sukses.

Në vitin 2016, portale të ndryshme e përshkruajtën Anisën si “policja më e bukur”, një moment që ajo e konsideron të sikletshëm.

Anisa Zani:Deri diku ka qenë njëfarë sikleti sepse unë nuk kisha kontakt me gazetarët. Portalet thjesht morën nga njëra-tjetra dhe askush nuk kishte biseduar me mua dhe unë të isha në dijeni të gjithë asaj, vetëm kur plasën ato lajmet dhe isha në qendër të vëmendjes.