Një 32-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë pasi ka vjedhur dy automjete në Tiranë. Ai dyshohet se është me probleme të shëndetit mendor. Në dy rastet që ka vjedhur makinat, ai është përfshirë në aksident.
Njoftimi i policisê:
Vodhi dy automjete ditën e sotme, falë veprimeve të shpejta policore, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Ditën e sotme, rreth orës 13:30, është marrë njoftim se te ish-Uzina e Autotraktorëve ka ndodhur një aksident. Shërbimet e Policisë si dhe të urgjencës, me marrjen e njoftimit, kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë dërguar në spital për ndihmë mjekësore një të dëmtuar nga aksidenti, shtetasin F. F., 32 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor.
Pas verifikimit të automjetit tip “Volksëagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se ky automjet, ishte vjedhur disa minuta më parë, në Fushë-Farkë.
Shtetasi F. F., pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit F. F., 32 vjeç, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.