DVP Gjirokastër/Operacione të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 67”.
U kap në flagrancë duke transportuar 14 emigrantë që kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 31-vjeçari kosovar.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, një mjet prerës (thikë) që u gjet në këtë automjet, një shumë parash dhe 1 aparat celular.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, në vijim të punës së pandërprerë, në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 67”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– D. B., 31 vjeç, banues në Kosovë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Përmetit, duke transportuar kundrejt pagesës, me automjetin tip “Mercedez Benz”, 14 emigrantë nga vendet MENA, që kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit me vendet e BE-së.
Gjatë kontrollit në automjet u gjet 1 armë e ftohtë (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash, 1 aparat celular dhe automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.