“Arrest në shtëpi” ka vendosur gjykata e Durrësit ditën e sotme për Pëllumb Nikën, administratorin e plazhit në Vilë-Bashtovë, ku humbën jetën të dielën tre persona të së njëjtës familje.

Mbi të rëndojnë akuzat e “vrasjes nga pakujdesia” dhe “mospërmbushjes së kushteve të sigurisë në vijën bregdetare”.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, që u zhvillua pa praninë e medias, avokatët kërkuan masën “detyrim paraqitje” në mënyrë që shtetasi të vazhdojë të punojë, pasi është i vetmi person që sjell të ardhura në shtëpi.

Por, në përfundim gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes që ka kërkuar si masë sigurie “arrest në shtëpi”.

Pëllumb Nika kishte lidhur një kontratë 5-vjeçare me bashkinë e Rrogozhinës për administrimin e këtij plazhi në Vilë Bashtovë, ku pak ditë më parë u mbytën 3 persona, babai Elvis Halilaj së bashku me dy djemtë e tij të mitur.