Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e Festivalit Folklorik Kombëtar që do të zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës, nga data 24.06.2023 deri më datë 02.07 2023. Masat kanë si qëllim sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë këtij eventi, parandalimin e paligjshmërive, si dhe garantimin e lëvizjes normale dhe të lehtësuar të përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore do të intensifikojë kontrollet ndaj drejtuesve të mjeteve, për të shmangur drejtimin e automjetit në gjendje të dehur, tejkalimin e normave të shpejtësisë dhe parakalimet e gabuara.

Prani të shtuar të shërbimeve do të ketë në akset kryesore, pranë lokaleve dhe hoteleve, si dhe në zonën muzeale, për shkak të rritjes së fluksit të qytetarëve dhe mjeteve.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër do të kalojnë në gatishmërinë “Shërbim i përforcuar”, për të garantuar mbarëvajtjen e plotë të këtij aktiviteti.

Në kuadër të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e aktivitetit, gjatë ditëve që do të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar, do të ketë këto kufizime:

•Shërbimi i autobusave për në lagjen “Dunavat”, do të lejohet vetëm nëpërmjet bypass-it.
Këta autobusë do të kenë intenerarin: “ Lagjja “18-Shtatori”- Lagjja “Punëtore”- Lagjja “Dunavat” dhe anasjelltas;

•Automjetet rulotë nuk do të lejohen të qarkullojnë në lagjen “Palorto”, as në sheshin “Çerçizi”, si dhe nuk do të lejohen të parkohen tek stacioni i autobusëve, në afërsi të sheshit “Çercizi”;

•Në zonën muzeale do të eliminohet parkimi i automjeteve që nuk janë të pozicionuara në mënyrë të rregullt. Gjithashtu, do të monitorohet në mënyrë rigoroze, zbatimi i sinjalistikës horizontale dhe vertikale të qarkullimit rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, gjatë ditëve të Festivalit Folklorik Kombëtar, që të evitojnë në maksimum lëvizjen me automjet, në zonën muzeale, pasi do të sillte një ndihmë të madhe për zhvillimin sa më normal të aktivitetit.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe për bashkëpunimin, ju urojmë mirëseardhjen në qytetin e Gjirokastrës.