Ministrja e Jashtme bëri me dije këtë të Premte se “pas komunikimit me autoritetet greke, në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato”.
Pritet përgjigja e ADN për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke, thuhet më tej në njoftim.
Më herët gjatë ditës, Komuniteti Shqiptar në Greqi konfrimoi vdekjen e studentes shqiptare Klaudia Lata në aksidentin e trenave në Larisa. Përmes një njoftimi në FB, Komuniteti Shqiptar ka bërë dhe një rrezyme të jetës së 21-vjeçares e cila ishte një studente e shkëlqyer në Degën e Mjekësisë Ushtarake.
Lata raportohet po kthehej në Selanik me tren për të vijuar studimet, pas një qëndrimi 3 ditor në Patra, ku festoi karanavalet.
“Larisa vajton për Klaudian 21-vjeçare. Klaudia Lata është ndër viktimat e tragjedisë në Tempi. Një vajzë e re, vetëm 21 vjeçe, me gjithë jetën përpara, Klaudia Lata është ndër viktimat e aksidentit hekurudhor të së martës mbrëma në Tempi. Klaudia ka lindur në Larisa dhe ka marrë nënshtetësinë greke, ndërsa prindërit e saj janë pronarë të një dyqani mishi në qytet. Nxënëse e shkëlqyer në shkollë, hyri në Degën e Mjekësisë të Shkollës Ushtarake të Trupave të Oficerëve. Studentja e re po kthehej në Selanik pas një qëndrimi treditor në Patra ku kishte shkuar për të festuar karnavalet dhe mezi priste të kthehej në shkollë”, shkruan Komuniteti shqiptar në Greqi përmes një postimi në FB.