Gjykata e Tiranës të shtunën vendosi masën “arrest me burg” për Dan Hutrën, autor i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave.
Ndërsa, Top Channel ka siguruar dosjen e Dan Hutrës, në të cilat rrëfehen detaje tronditëse nga vrasja e tre personave në vetëm pak minuta ditën e 1 marsit.
Ai është shprehur para grupit hetimor se personin me të cilën kishte lidhje intime, Marjana Gurakuqin donte t’i priste kokën me biçak që të mos tërhiqte vëmendje me zhurmën e armës.
Nga kjo ngjarje 40-vjeçarja mbeti e plagosur, pasi në atë moment kishin hyrë persona të tjerë në biznesin e saj.
“Më datë 16.02.2023 Dani është liruar nga burgu dhe 3-4 ditë para se të dilte. Alketa ka lindur djalë për të cilin Dani ka dyshime që nuk është babai biologjik.
Konkretisht më datë 26.02.2023 ka marrë një automjet me qira me targa AA53 1UK dhe 1 ditë para ngjarjes ka shkuar në qytetin e Kukësit ku ka marrë armën kallashnikov që e kishte fshehur prej disa vitesh.
Më datë 01.03.2023 ka shkuar në zonën e Astirit, tek dyqani i shtetases Marjana Gurakuqi të cilën e ka pasur të dashur. Deklaron se Marjanës ka dashur t’i presë kokën me biçak sepse nëse do e vriste me armë zjarri do tërhiqte vëmendje dhe nuk do realizonte planin e tij deri në fund. Pasi ka shkuar te dyqani dhe ka nxjerrë biçakun ajo është vetëmbrojtur duke e goditur Danin me xham në dorën djathtë. Kur e ka goditur me biçak Marjanën, në dyqan është futur një person dhe ai instinktivisht është larguar nga dyqani. Biçaku dhe syzet i kanë rënë gjatë përleshjes me Marjanën. Sqaron se Marjanën donte ta vriste pasi ka pasur marrëdhënie intime me të dhe kur ka dalë nga burgu herën e parë në vitin 2021 i ka dhënë Marjanës 80.000 euro për t’i ruajtur.
Marjana pas disa kohësh e ka njoftuar se paratë i kishte gjetur bashkëshorti i saj dhe Danit i ka kthyer vetëm 2.300.000 lekë të rinj. Gjithashtu Dani pretendon se Marjana ka tentuar ta helmojë nëpërmjet ushqimit në burg gjatë kohës që vuante dënimin duke e tentuar te ushqimi me anë të shtetasit Vladimir Kurti, të cilin e ka pasur shok qelie në burg.
Ai pretendon se e ka dëgjuar Vladimirin duke folur me Marjanën në telefon nga kabina e burgut dhe kjo ka qenë pikënisja e konfliktit me Vladimirin. Ata janë konfliktuar herë pas here dhe kanë ndryshuar qeli me njëri-tjetrin. Dani ka bërë disa përpjekje që të godiste shtetasin Vladimir Kurti në burg, por nuk ka mundur ta realizojë atë dhe i është shprehur Vladimirit se kur të dalë nga burgu “do i bëjë kurban një kokë. Pas përleshjes me Marjanën, shtetasi Dan Hutra është nisur drejt banesës së ish-vjehrrit të tij, Zaim Hysa”, shkruhet në dosje.
Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg” për Dan Hutrën, autor i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave në masakrën e 1 marsit. Ai është shfaqur i qetë gjatë seancës gjyqësore dhe pa asnjë shenjë pendese.
Dan Hutra: I kam bërë të gjitha me vetëdije të plotë. Kur më dënuan për dhunë në familje, më dënuan pa asnjë provë, ndaj i bëra të gjitha. I pranoj të gjitha dhe nuk jam i penduar. Etleva Kurtin e vrava se i vëllai deshi të më helmojë në burg.
Dan Hutra këmbënguli që për dhunën në familje e kanë akuzuar pa qenë fajtor.
Hutra: Nuk më intereson fare, e kam mbyllur dhe pesë burgime të përjetshme të më jepni. Kërkova ADN e fëmijës por s’pranuan dhe aty më lindi dyshimi, por nuk e kam rrahur bashkëjetuesen. I kërkoj sistemit të drejtësisë të mos dënojë njerëz të pafajshëm që mos përfundojnë në masakra të tilla.
Mesditën e 1 marsit, Hutra shkoi në Astir për të eliminuar me thikë pa shkaktuar shumë zhurmë Marjana Gurakuqin të cilën e akuzonte se nuk i kishte kthyer një shumë parash.
Falë disa klientëve që hynë në dyqan dhe reagimit të saj ajo mundi të shpëtojë me disa lëndime në dorë dhe në fytyrë. Fill pas kësaj ngjarje ai shkoi në Kodër Kamëz ku qëlloi ndaj familjes së ish-bashkëjetueses, duke lënë të plagosur ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj Kujtime Hysa 60 vjeçe dhe vrarë me armë zjarri Mevlute Hysan 30 vjeçe, motrën e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, të fejuarën e vëllait të ish-bashkëjetueses.
Më pas ai shkoi në Kamëz dhe vrau motrën e kundërshtarit të tij në burg, Etleva Kurtin.
Sipas tij objektivi i radhës ishte një person me vendbanim në Kombinat, i cili sipas tij kishte shitur në vitin 1999 armën me të cilën u vra i ati në Durrës.
Por mungesa e një adrese të saktë si edhe etja dhe uria e detyroi atë të shkojë në disa biznese dhe të bjerë kështu në gjurmë të policisë që kishte orë që e kërkonte.
Pasi u arrestua ai ka treguar me gjakftohtësi para grupit hetimor për krimet dhe motivet të cilat i kishte planifikuar me imtësi që në kohën kur ishte në burg. Pasi doli më 16 shkurt vëzhgoi objektivat, siguroi armën, makinën dhe vuri në jetë planin djallëzor.