Deputeti demokrat i Qarkut Gjirokaster, Prof. Dr. Tritan Shehu, ka reaguar pas deklaratave të zv.kryetares socialiste së Kuvendit, Ermonela Felaj, për projekt-rezolutat e dorëzuara në Kuvend për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Në një postim në fb, Shehu shprehet se Felaj me reagimin e saj mbrëmjen e të martës “dha sinjalet e para qartesisht negative te “vullnetit” te maxhorances, per te rrezuar rezolutat”.
Gjatë një emisioni televiziv Felaj tha se kërkesat e opozitës në vetvete janë hipokrite, pasi në fund nuk synojnë atë që përshkruhet në dokumente. Sipas saj kjo rezolutë është një instrument për t’i rënë ndesh ‘Open Balkan’ sepse dihet botërisht që opozita, dhe këtu janë të gjithë bashkë, janë kundër Open Balkan”
Ja reagimi i plote i Shehut:
Zj.Felaj po bëhet zëdhënëse e paralajmëruese e një gabimi fatal të maxhorancës!
Mbrëme Zj.Felaj dha sinjalet e para qartësisht negative të “vullnetit” të maxhorancës, për të rrëzuar rezolutat, që i vënë emrin “Genocid” krimeve serbe në Kosovë në vitet 1998-99, i dënojnë ato e kërkojnë veprime e reagime të aresyeshme ndaj atyre, duke i “agresuar” ato.
Së pari deshiroj t’i kujtoj Zj.Felaj se asnjëherë deri më sot Shqipëria nuk ka zyrtarizuar termin “genocid” ndaj atyre krimeve, gjë që e ka realizuar Kuvendi i Kosovës në vitin 2019.
Kjo është tentativa e parë zyrtare që po bëhet në këtë drejtim.
Së dyti Zj.Felaj, me dashje apo pa dashje, nxjerr shkakun e këtij qëndrimi drejt refuzimit të maxhorancës:
–Pikërisht lidhjet, vartësinë nga Vuçiçi, rënien nën presionin e tij, kur ajo deklaron se një veprim i tillë bie ndesh me nismën vuçiçiane të “Ballkanit të hapur” ose “Jugosllavia e Re.
Pa dashur sot të hy në debat për atë nismë, që kërkon tu kundërvihet nismave europiane, unë dësheroj t’i kujtoj Zj.Felaj se asnjë bashkëpunin rajonal nuk mund të jetë i suksesshëm, gjithë përfshirës e afat gjatë, nqs Serbia nuk pranon krimet e kryera në Kosovë e më gjerë, duke kërkuar se paku falje për ato.
Për këtë mjafton që Zj. Felaj të rilexoj atë çfarë i tha edhe Z.Borell pak javë më parë Kryeministres së Serbisë, pikerisht në Beograd.
Në këto kushte do të ishte e pa falëshme që deputet socialistë të Kuvendit të Shqipërisë të përdoreshin kundër interesave tona kombëtare e të lejonin rrezimin e kësaj tentative dinjitoze, në respekt të të drejtës e vlerave, e domosdoshme për forcimin e stabilitetit edhe në Rajonin tonë.