Nga Artan Fuga
Më dërguan një video mbrëmë ku shihej ministrja Balluku që u bënte gjoja presion tregtarëve të karburanteve për t’i mbajtur ca kohë çmimet në një farë kontrolli ndryshe “ata”, “ata”, “ata”, do t’u vinin zjarrin stacioneve të furnizimit me karburant.
Unë nuk dua të besoj se ka të tillë piromanë mes protestuesve, por kjo është tjetër gjë që meriton analizë.
Ajo që më drodhi mishin, ma bëri lëkurën me mornica, më mbushi me zemërim ishte trajtimi i qytetarëve si “ata” që do t’ju djegin o pasanikë nafte!
Ajo si nëpunësve publike që ushqehet me taksat e qytetarëve, që duhet të mbrojë interesin publik, atë të qytetarëve, i trajton “ata” si turma djegësish, arsyet e kontrollit të çmimeve e gjen te agresiviteti djegës i turmës, ne qytetarët na trajton si “ata”, “ata”, “ata”, “ata” që janë jashtë, në vend të shprehte interesat e turmës qytetare.
Ky është mentaliteti i shumë zyrtarëve të lartë që kujtojnë se janë nëpunës të Perandorit Minh, apo të sulltani Murat i II, apo të Faraonit Ramses, kur duhet të jenë shërbëtorë të bindur, të flakshëm në çdo çast në “vrimën” e tyre të jetës personale nga qytetari.
Ky është një mentalitet i poshtër diktatorial! I trashëguar! I rilindur! I rikthyer! Është përbuzja ndaj qytetarit që po restaurohet ditë me ditë dhe e ndjen në përbuzjen që nëpunës të lartë publikë nuk mungojnë t’u bëjnë qytetarëve! Sillen si faraonë të vegjël!
Unë qysh sot nuk e njoh më atë si ministre, E përbuz!
Prandaj them se sheshet duhet të mbushen për demokraci, jo vetëm për naftë!