Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë.
Ai i ka bërë rekurs vendimit te Apelit të GJKKO që e la të pandryshuar masën ‘arrest në burg’.
Në fillim të muajit janar, apeli i GJKKO la në fuqi vendimin për arrestimin e tij dhe të sekuestrove të pasurive të ish-ministrit Lefter Koka.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre pasi sipas SPAK, ka marrë 3.7 milionë euro që të favorizonte dy kompani për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Më datë 16 dhjetor në caktimin e masës paraprake të sigurisë, GJKKO e la sërish ish-ministrin në burg.
‘Nuk jam i rrezikshëm! Nuk i shmangem hetimit dhe nuk kam shkelur asnjë ligj’, ka thënë ndër të tjera në kërkesën e tij për liri Lefter Koka, e depozituar në Gjykatë pak ditë më parë.
Vetë Koka nuk ka qenë i pranishëm në seancën që mbahej për të në GJKKO, por mbrojtjen ia kishte besuar avokatëve.
Me gjithë argumentet e Fatmir Brakës se klienti i tij nuk kishte rrezikshmëri për t’u larguar jashtë vendit apo për të prishur provat, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqin vendim e shkallës së parë, ‘Arrest në burg’. Hetimet vazhdojnë aktualisht nga SPAK.
Pak ditë më vonë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzon kërkesën e ish-ministrit Lefter Koka për lirimin nga sekuestroja të disa pasurive të tij. Me vendimin që Gjykata e Posaçme la në qeli Kokën, pas dyshimeve për ‘korrupsion’ dhe ‘shpërdorim detyre’, vendosi në sekuestro preventive 88,19% të aksioneve në pronësi të tij në një kantinë pijesh alkoolike. Kokës i është refuzuar më parë edhe kërkesa për lirim nga qelia.
Ish-ministri i Mjedisit akuzohet se ka përfituar mbi 3 milionë euro për të ndikuar në tenderin e inceneratorit të Elbasanit.