Futboll/ ”Luftëtari” fiton ‘derbin’ e jugut me ”Butrintin” në Sarandë dhe kalon në krye të renditjes

Jugulajm.net
2 Min Read

Gjirokastritët e ”Luftëtarit” kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertën e sotme në Sarandë ndaj vendasve të ”Butrintit”, duke triumfuar me rezultatin 0-1 në një përballje që kishte peshë të veçantë për ecurinë dhe objektivat e të dyja skuadrave.

Skuadra bluzi u përball me një transfertë të vështirë përballë një rivali direkt në luftën për pozitat e kreut.

Pikërisht për këtë arsye sfida u karakterizua nga shumë luftë dhe rivalitet me të dyja ekipet, që kërkuan rezultatin pozitiv deri në sinjalizimin e fundit të arbitrit kryesor.

Goli që vendosi fatin e takimit u shënua në minutën e 74-të nga sulmuesi bluzi Diamanti.

Sulmuesi vlonjat rezultoi edhe një herë vendimtar për bluzinjtë, duke realizuar një gol me shumë vlerë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij fillimsezoni.

Me këtë sukses Luftëtari jo vetëm që largohet me tri pikë të arta nga Saranda, por arrin edhe të barazojë ”Bylisin B” në krye të renditjes me 13 pikë.

”Butrinti” nga ana tjetër mbetet në vendin e tretë me 12 pikë, çka e bën garën në krye edhe më interesante.

Një fitore që i jep frymëmarrje dhe shumë moral ekipit gjirokastrit i cili konfirmon se do të jetë një prej pretendentëve seriozë në këtë kampionat.

Në javën e ardhshme ”Luftëtari” do të luaj përballë skuadrës së Memaliaj në shtëpi, ku do të kërkojë të vijojë momentin pozitiv përballë një kundërshtari disi të lehtë në letër.

Share This Article