Banesa shkrumbohet nga flakët, fqinjët shpëtojnë 30-vjeçarin e semurë

Jugulajm.net
1 Min Read

Një banesë është shkrumbuar plotësisht nga flakët mesditën e kësaj së diele, duke rrezikuar edhe jetën e një 30-vjeçari, i cili vuan nga epilepsia. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hoxharë të Fierit.

Sipas dëshmisë së nënës së tij, e cila në momentin e ngjarjes ndodhej duke punuar në vjeljen e ullinjve, zjarri dyshohet se është shkaktuar aksidentalisht nga i biri, teksa tentonte të përgatiste kafe me një bombulë të vogël gazi.

Dyshohet se pasi ndezi bombulën, 30-vjeçari pësoi një krizë epileptike dhe e hodhi atë të ndezur në dysheme. Si pasojë, flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë të gjithë banesën brenda pak minutash.

Fqinjët, pasi panë tymin dhe flakët, nxituan në ndihmë dhe arritën ta nxirrnin 30-vjeçarin nga shtëpia. Fatmirësisht, ai nuk pësoi lëndime.

Në vendngjarje mbërritën edhe shërbimet zjarrfikëse, por pavarësisht ndërhyrjes, nuk u bë e mundur të shpëtohej banesa, e cila ishte djegur pothuajse tërësisht.

Share This Article