Një fotografi ku shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe është pjesë e dosjes hetimore të SPAK për vilën që dyshohet se i përket ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Dhërmi.
Fotoja është dërguar më 17 korrik 2021 dhe është gjetur në telefonin e Lavdrim Smones, bashkëshortit të gruas që kryente pastrimet në banesën e Ballukut në Tiranë. Sipas hetimeve, kutia me para dyshohet se është fotografuar brenda një vile, në kompleksin turistik në Dhërmi, raporton për BalkanWeb gazetarja Klodiana Lala.
SPAK ka analizuar qindra komunikime telefonike të periudhës 2018-2025, të cilat, sipas prokurorëve, tregojnë se prona përdorej nga Balluku, megjithëse në dokumente rezulton në emër të ish-futbollistit Igli Tare. Në dosje përmenden komunikime të shoferit, vartësve, punonjësve të pastrimit dhe administratorëve të kompleksit.

Bashkëshorti i pastrueses, së bashku me gruan dhe vajzën e tij, udhëtonin herë pas here drejt Dhërmiut për të kryer pastrimet në vilë, ndërsa transporti i tyre organizohej shpesh nga shoferi personal i Ballukut.




