EMRI/ Rrjeti kriminal, kapet duke u arratisur drejt Shqipërisë biznesmeni grek

Jugulajm.net
3 Min Read

Një biznesmen i njohur grek, pronar i rrjetit të furrave të bukës “Horiatiko”, është arrestuar në Janinë, teksa dyshohet se po tentonte të largohej drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar hetimit të një rrjeti të madh kriminal që vepronte në disa zona të Greqisë.

Bëhet fjalë për 59-vjeçarin Angelos Giannakopoulos, i njohur edhe me pseudonimet “Babi” dhe “Shefi”. Ai është në qendër të një hetimi dhjetëmujor të Drejtorisë greke për Luftimin e Krimit të Organizuar, që ka zbuluar dyshime për një skemë të gjerë evazioni fiskal, pastrim parash dhe mashtrime me prokurimet publike.

Sipas mediave greke, operacioni policor ka çuar deri më tani në arrestimin e 59 personave, ndërsa në dosjen hetimore përmenden gjithsej 149 të dyshuar. Sipas hetimeve, rrjeti përdorte dhjetëra kompani, disa prej të cilave dyshohet se ishin fiktive, për të fshehur aktivitetin financiar dhe për të shmangur detyrimet ndaj shtetit.

Nga furrat e bukës te klubet e natës dhe bizneset në plazhe

Hetuesit dyshojnë se aktiviteti i Giannakopoulos nuk kufizohej vetëm te rrjeti i furrave të bukës “Horiatiko”. Përmes kompanive të ndryshme, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kishin shtrirë interesat edhe në klube nate, lokale striptizmi, hotele dhe bare plazhi.

Një prej rasteve që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është ai në ishullin e Rodosit, ku katër kompani të lidhura me rrjetin administronin 28 plazhe. Sipas raportimeve, këto subjekte kishin detyrime të papaguara mbi 850 mijë euro ndaj bashkisë dhe kompanisë shtetërore të pronave, por kontratat e tyre nuk ishin ndërprerë nga autoritetet lokale.

Dyshime për lidhje me policinë dhe administratën

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit janë dyshimet për përfshirjen e punonjësve të policisë dhe zyrtarëve të administratës publike në skemë. Sipas dosjes, persona në Athinë, Rodos dhe Mykonos dyshohet se i kanë ofruar mbrojtje rrjetit ose i kanë përcjellë informacione konfidenciale.

Hetimi është vështirësuar disa herë nga dyshimet për rrjedhje informacioni. Giannakopoulos dyshohet se kishte mësuar që në muajin maj se ishte nën përgjim, ndërsa pak orë para kontrolleve përfundimtare, bashkëpunëtorët e tij tentuan të fshinin të dhënat elektronike dhe serverat në selinë e kompanive në Athinë. Policia arriti të ndërhyjë përpara se të zhdukeshin provat.

Përgjimet kanë zbuluar gjithashtu biseda për blerjen e dhuratave luksoze, përfshirë parfume dhe produkte kozmetike të markës “Yves Saint Laurent”, që dyshohet se u përgatiteshin zyrtarëve shtetërorë në këmbim të favoreve dhe lehtësive administrative.

Hetimet në Greqi vijojnë për të dokumentuar të gjitha lidhjet e dyshuara të rrjetit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.

Share This Article