EMRI/ “Benz-i” bie në humnerë, plagoset 22-vjeçari, pranë tij gjendet një armë

Jugulajm.net
1 Min Read

Një aksident me rrethana ende të paqarta është regjistruar sot, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, rreth 150 metra larg aksit rrugor. Ngjarja është regjistruar në fshatin Farret, në njësinë administrative Stravaj të Librazhdit.

Në drejtimin e makinës, me targa AB178DV, ndodhej 22-vjeçari Renis Kalnxhi, i cili ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Librazhdit. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ajo që e bën edhe më të paqartë ngjarjen është fakti se pranë automjetit të dëmtuar është gjetur një armë zjarri, tip pistoletë. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes nuk janë konstatuar persona të tjerë që mund të kenë qenë në automjet.

Paraprakisht dyshohet se 22-vjeçari ishte përfshirë në një konflikt dhe ishte dëmtuar përpara se makina të dilte nga rruga. Ende nuk dihen rrethanat e plota të këtij konflikti dhe nëse ai ka lidhje me armën e gjetur pranë automjetit.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore do të kryhen nga Komisariati i Policisë Librazhd.

Share This Article