Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa raportohet për një krim në familje në Lushnje.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zhymë, ku një 45-vjeçar, i cili dyshohet të jetë me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë duke e goditur me sqepar nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, dhe ka plagosur rëndë babain, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, 45-vjeçari është larguar në drejtim të paditur, ndërsa Policia është vënë në ndjekje të tij. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të saj.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë, Lushnjë, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shtetasi F. D., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.




