Braçe kundër Territoriales dhe sfidon Ballën: S’më përjashtojnë dot nga PS ata që më gjetën aty

Jugulajm.net
2 Min Read

Reforma e re territoriale ka hapur debat brenda Partisë Socialiste, me deputetin Erion Braçe që ka konfirmuar votën kundër saj. Braçe kritikoi mënyrën sesi është zhvilluar procesi, duke thënë se deputetët janë informuar vetëm pak ditë para votimit në Kuvend.

“Është shumë vonë, 3 ditë para se të votohet. Hera e parë që bëhet një diskutim me grupin e PS. Jemi mbledhur disa herë dhe s’kemi marrë asnjë rresht informacion për këtë reformë”, tha Braçe. Sipas tij, projektligji nuk është trajtuar siç duhet nga Komisioni i Ekonomisë dhe nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme me deputetët. Braçe kundërshton gjithashtu mënyrën e përcaktimit të kufijve të disa bashkive, duke argumentuar se reforma duhet të mbështetet te parimet dhe jo te nevojat politike.

“Reformën e mbajnë në këmbë parimet, jo votat. Nëse reforma është e drejtë dhe u qëndron parimeve, i ka votat aty”, u shpreh ai për ”Report TV”. Braçe pati edhe një përgjigje të drejtpërdrejtë për Taulant Ballën, pasi ky i fundit u shpreh se deputetët që nuk e mbështesin reformën duhet t’i referohen rregullores së PS-së.

“Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra dhe më tregojnë mua rregulloren!”, deklaroi Braçe. Deputeti socialist tha se nuk është kundër një reforme territoriale në parim, por kërkon që ajo të shoqërohet me më shumë kompetenca dhe financim për pushtetin vendor.

Në fund, Braçe kërkoi që debati të zhvillohet pa presion dhe paralajmëroi se vota e tij kundër reformës nuk është një qëndrim personal, por lidhet, sipas tij, me mënyrën se si është hartuar dhe diskutuar ajo. Miratimi i reformës kërkon 84 vota në Kuvend. Në këtë situatë, votat e deputetëve socialistë që kanë shprehur kundërshtime, përfshirë Braçen, marrin peshë në procesin e votimit.

Share This Article