VIDEO/ Publikohen pamjet e ekzekutimit të shqiptarit në Spanjë, autori e qëllon disa herë dhe…

Jugulajm.net
2 Min Read

Janë publikuar pamjet e atentatit ndaj shqiptarit Luka Beqiraj, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 10 nëntor në Spanjë. 39-vjeçari nga Vlora u qëllua në mes të ditës, teksa ndodhej në tarracën e një lokali në kompleksin sportiv “Playa Flamenca Sport Club”, në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes.

Ngjarja ndodhi pak para orës 13:00. Në videon e publikuar shihet autori teksa i afrohet tavolinës ku ishte ulur Beqiraj dhe qëllon disa herë me armë zjarri në drejtim të tij. Në momentin e sulmit, në tavolinë ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët largohen me vrap sapo dëgjohen të shtënat.

Pas atentatit, autori largohet nga vendi i ngjarjes me një monopatinë elektrike, ndërsa 39-vjeçari humb jetën si pasojë e plagëve të marra.

Autori ende në kërkim, dyshimet për atentat me pagesë

Sipas raportimeve të fundit, personi që kreu sulmin vijon të jetë në kërkim nga autoritetet spanjolle. Hetuesit dyshojnë se vrasja mund të jetë e organizuar dhe se bëhet fjalë për një atentat me pagesë, megjithatë deri më tani nuk ka një motiv të konfirmuar zyrtarisht.

Në kuadër të hetimeve po shqyrtohen edhe lidhjet e mundshme me grupet e krimit të organizuar që veprojnë në zonat bregdetare të Alicantes dhe Mursias.

E kaluara kriminale në Shqipëri dhe Itali

Luka Beqiraj rezulton të ketë pasur precedentë penalë edhe në Shqipëri dhe Itali. Në vitin 2016, ai u arrestua në Vlorë për plagosje të rëndë me dashje.

Tre vite më vonë, në vitin 2019, u arrestua gjatë një operacioni të përbashkët shqiptaro-italian kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Në vitin 2020, drejtësia italiane e dënoi me 4 vite e 6 muaj burgim për përfshirjen në veprimtari të lidhura me trafikun e narkotikëve.

E kaluara e tij është rikthyer në vëmendje pas vrasjes në Spanjë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të atentatit.

Share This Article