Politikanëve tanë edhe lule po tu dhurosh, nuk shpëton nga “KËRRBAÇI”…

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Pas reagimeve të shumta nga media dhe njerëz të fushave të ndryshme për protestën ndaj deputetes Eris Luarasi, ndoshta është koha t’ua shpjegojmë të gjithëve, jo vetëm zonjës Luarasi, një të vërtetë fare të thjeshtë:
Protesta është protestë.
Pavarësisht nëse në dorë ke një pankartë, një megafon apo një tufë lulesh. Qytetari në protestë nxjerr revoltën, mllefin, shqetësimin dhe pakënaqësinë e tij. Mund të mos ketë asgjë personale me ty si njeri apo si qytetar. Mund të ketë gjithçka me petkun që mban dhe përgjegjësinë që ke marrë përsipër. Nuk të erdhën te shtëpia.
Nuk të erdhën te hoteli.
Nuk të erdhën te pishina. Të pritën në rrugë, aty ku po shkoje të bëje ligje në emër të tyre dhe për ta. Dhe kanë të drejtë të të kërkojnë llogari. Sepse nuk të kanë detyruar të bëhesh deputet. Ti u ke kërkuar votën. Ata të kanë dhënë mandatin.
Ata paguajnë taksat.
Dhe nga paratë e tyre paguhet edhe funksioni që ti ushtron. Prandaj llogaria nuk është favor.
Është detyrim. Kjo quhet demokraci. Por te ne, me klasën politike, ndodh një çudi e madhe.
Nëse qytetari bërtet, i thonë: “Agresiv!” Nëse hesht, i thonë: “Nuk ka argument!” Nëse proteston, i thonë: “Po sulmon institucionin!”
Nëse çon lule, mund t’i thonë: “Gomar!” Dhe, për fat të keq, duket se te një pjesë e klasës politike shqiptare ka edhe më keq: Edhe po t’u çosh lule, mund të mos shpëtosh nga “kërbaçi”, nëse guxon t’u kërkosh llogari. Hajde merre me mend pastaj çfarë mund të ndodhë kur qytetari të mos ketë më lule në dorë! Këtu është problemi. Qytetari nuk po i kërkon llogari politikanit sepse ai i ka bërë ndonjë nder. Po i kërkon llogari sepse është detyrimi i politikanit dhe e drejta e qytetarit. Kjo është ajo që duhet të kuptojmë.
Lulet janë mirësjellje.
Kritika është demokraci.
Protesta është e drejtë.
Dhe asnjëra nuk duhet të trajtohet si krim.
Fatkeqësisht, duket sikur kultura politike te ne ka krijuar një standard të çuditshëm:
Lulet i pranojnë. Kritikën jo. Taksat tona i marrin. Llogari nuk duan të japin. E pastaj çuditemi pse qytetari revoltohet. Mos u çudisni, pra, kur një ditë qytetari të mos ketë më lule në dorë. Sepse kur edhe lulet nuk mjaftojnë për t’u dëgjuar, problemi nuk është më te protesta.
Problemi është te pushteti që nuk di të dëgjojë. Dhe një gjë tjetër duhet thënë qartë.
Mund të jesh si individ njeri i denjë, i ndershëm dhe i pastër. Por kjo pastërti personale humbet vlerën e saj politike nëse, pasi hyn në sistem, zhytesh edhe ti në llumin e tij, e pranon atë si normalitet ose, më keq akoma, fillon ta pëlqesh. Sepse politika nuk të pastron nga përgjegjësia. Përkundrazi, pushteti ta shton atë. Prandaj, të nderuar deputetë e deputete: Mos u trembni nga qytetari që proteston. Dëgjojeni. Edhe kur bërtet. Edhe kur kritikon. Edhe kur nuk ju pëlqen ajo që thotë. Sepse ai qytetar mund të mos jetë armiku juaj. Mund të jetë thjesht pronari i asaj vote dhe i atyre taksave me të cilat ju ushtroni pushtetin.
Dhe pronari ka të drejtë të pyesë: “Çfarë bëtë me atë që ju besova?”
Kjo nuk është armiqësi.
Kjo është demokraci.

Share This Article