VIDEO/ Vasil Kati përjetësohet me bust në vendlindjen e tij, në Labovën e Kryqit

Jugulajm.net
4 Min Read

Ishte një vepër arti që pritej prej vitesh të vendosej në fshatin e tij të lindjes, një kërkesë e bërë vite më parë nga banorët, që njeriun e tyre të dashur t’a përjetësonin në bust në qendër të fshatit.

Kjo ditë nuk vonoi, ku falë iniciativës së biznesmenit vendas, Ermand Kallajnxhi, të vendoset busti i Vasil Katit, bir i Labovës së Kryqit në Gjirokastër, njeriu i cili përjetoi persekutime dhe vuajtje për veten dhe familjen e vet në kohën e diktaturës.

Ish ministri i tregtisë së jashtme në kohën kur Enver Hoxha gjente përditë armiq imagjinarë, madje dhe aty ku punonin me përkushtim për vendin.

Një prej tyre ishte dhe Vasil Kati, intelektual i shquar, i cili vuajti në burgjet e diktaturës por jo më pak dhe familja e tij në internime.

Labova e Kryqit e përjetësoi Vasil Katin me vendosjen e këtij busti për kontributin që ai ka dhënë, jo vetëm për vendlindjen, por dhe për gjithë shtetin e atëhershëm në përsosjen e tregtisë dhe çeljen e tregjeve të huaja, që për Enver Hoxhën ishin shfaqje të huaja përmes lidhjeve me vendet kapitaliste.

Banorë të shumtë të Labovës së Kryqit, dje janë mbledhur në sheshin e fshatit për të qenë të pranishëm në ceremoninë e vendosjes së bustit të Vasil Katit.

Një vlerësim ky që ishte i pritshëm dhe i merituar prej kohësh për një figurë të tillë të harruar.

E bija e Vasil Katit, Pranvera, përveç vlerësimeve për organizatorët e kësaj ceremonie, gjen momentin të shpjegojë e emocionuar dhe një pjesë të vuajtjeve, që ka përjetuar familja e saj në internim pas dënimit të të atit.

Në optikën e Besnik Ismailatit, veprimtar dhe studiues i zonës, figura e Vasil Katit është embelmatike për faktin, se ai ka qenë një prej personazheve që sfidoi kohën në epokë të vështirë duke mbijetuar me ndershmëri dhe që i bëri ballë rregjimit të kohës. Ndërsa nipi i Vasil Katit shprehet se kalvari i vuajtjeve të familjes Kati ka qenë i paimagjinueshëm.

Vasil Kati ka qenë Ministër i Tregtisë së Jashtme në kohën e regjimit komunist. Ai bënte pjesë në të ashtuquajturin “grupin e ekonomistëve”, që u dënuan në mesvitet ’70 së bashku me Abdyl Këllezin e Kiço Ngjela. Enver Hoxha akuzoi Vasil Katin në fillimet e viteve ‘70, se nën drejtimin e tij dhe të Kiço Ngjelës, kishin ndjerë një zhvillim me ritme të shpejta marrëdhëniet tregtare me firmat jugosllave dhe kishin bërë marrëveshje me firma kapitaliste për qepjen e konfeksioneve me cilësi të lartë. E gjitha kjo përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e ekonomisë shqiptare u hodh poshtë dhe u quajt si “sabotim”. Për këtë arsye, grupi i ekonomistëve u hetuan dhe Vasil Kati merr dënimin, në vitin 1975, ndërsa familja e tij internohet në Ndërnenas të Fierit. E ndërkohë që Vasil Kati endej burgjeve, familja e tij përballoi internimin, sa në një vend në tjetrin, sa në një fshat në tjetrin. Vajzat e tij pësuan fatin e divorcit nga bashkëshortët e tyre, sepse kështu “donte partia” dhe gjithcka për këtë familje riniste nga fillimi.

Share This Article