Një person është ndaluar nga policia si i dyshuar për shkaktimin e zjarrit në fshatin Vranisht, në bashkinë Himarë.
Burime nga policia bëjnë me dije se personi është ndaluar pas dyshimeve se mund të jetë autori i zjarrvënies. Ndërkohë, situata në terren vijon të jetë nën monitorim, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për vënien e flakëve nën kontroll.
Në ndihmë të operacionit për shuarjen e zjarrit kanë mbërritur dy helikopterë dhe një avion, të cilët po ndërhyjnë nga ajri në zonat ku terreni i vështirëson ndërhyrjen e mjeteve tokësore.
Autoritetet vijojnë punën për neutralizimin e vatrave të zjarrit, ndërsa policia po heton për të dokumentuar rrethanat dhe përgjegjësinë për zjarrvënien.




