Vrasja në Ksamil, (EMRAT) Arrestohet polici i Bashkisë Gjirokastër, polici i Kufirit Gjirokastër dhe 2 gjirokastritë të tjerë, gjithsej 11 në pranga dhe 2 në kërkim

Jugulajm.net
6 Min Read

Policia ka reaguar zyrtarisht, duke zbardhur dinamikën e vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, mëngjesin e sotëm. Sipas Policisë, për ngjarjen janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Dy persona akuzohen si autorë të dyshuar të vrasjes, ndërsa personat e tjerë janë proceduar për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit dhe mosmarrjen e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se katër kamarierë të lokalit “Principote” janë përfshirë në konflikt, duke e goditur me grushte 20-vjeçarin përpara se autori i dyshuar ta godiste disa herë me thikë.

Në lidhje me ngjarjen, Policia njofton:

Ksamil, Sarandë

Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.

Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç.

Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja Ezgi Perlak, 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.

Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;

Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak, 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;

Serxhi Selimi, 24 vjeç, banues në Ersekë;

Ervis Bunci, 24 vjeç, banues në Peshkopi;

Ildi Cekani, 21 vjeç, banues në Librazhd;

Murat Zhabina, 27 vjeç, banues në Elbasan;

Miosid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër;

Luciano Seferi, 44 vjeç, banues në Gjirokastër;

Romeo Shehu, 35 vjeç, banues në Gjirokastër;

Kristi Koshi, 29 vjeç, banues në Gjirokastër.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit David Heurtevent, 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe Bekim Bulica, 36 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezulton se:

Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurtevent, tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani, të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Sokrat Vata, dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit Miosid Matushaj (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), Luciano Seferi (punonjës i I. E. V. P. Fier), Romeo Shehu (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe Kristi Koshi, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi Bekim Bulica, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit Sokrat Vata dhe David Heurtevent, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina, Ildi Cekani, Luciano Seferi, Kristi Koshi, Bekim Bulica dhe Romeo Shehu, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin Miosid Matushaj, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë.

Share This Article