Furrat e bukës në Shqipëri po përballen me mungesë të specialistëve të bukëbërjes, një situatë që po vështirëson prodhimin e bukës artizanale.
Kryesia e Shoqatës dhe administratorët e furrave paralajmërojnë se aktualisht nuk ka mjaftueshëm bukëbërës, gjë që ka çuar në një krizë të vogël në sektor.
Ata i janë drejtuar me një shkresë zyrtare Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.
Shkollat profesionale që trajnojnë nxënës për teknologjinë ushqimore kanë ulur numrin e studentëve, dhe për grupin “Bukë-Pastiçeri” pothuajse nuk ka më nxënës të regjistruar.
Për këtë arsye, shumë furrtarë nuk kanë pasur kush të punojë me ta për të mësuar zanatin.
Shoqata nënvizon rëndësinë e bukës artizanale, e cila është pjesë e traditës shqiptare dhe kërkohet gjithmonë nga qytetarët për aromën dhe shijen e saj.
Veçanërisht e njohur është buka e Qiqrës në zonën Korçë-Pogradec-Mokër, një produkt që bëhet vetëm në Shqipëri.
Shoqata kërkon ndihmë dhe vëmendje nga autoritetet për të mbështetur furrtarët dhe për të ruajtur këtë traditë unike, pasi Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që prodhon bukë artizanale në këtë formë.




