Kur nacionalizmi bëhet streha e një lidershipi në krizë

Jugulajm.net
5 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Vuçiçi prej kohësh e ka kthyer në praktikë një metodë të vjetër të politikës: sa herë rritet pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisjes, sa herë konsumohet kredibiliteti i liderit dhe sa herë vështirësohet pozicioni në arenën ndërkombëtare, ndizet nacionalizmi. Është një metodë që nuk i përket vetëm Vuçiçit. E kanë përdorur dhe e përdorin shumë liderë në Europë e në botë. Kur politika e brendshme nuk ka më shumë për t’u ofruar qytetarëve, kërkohet një armik jashtë. Kur kredibiliteti bie, ngrihet flamuri. Kur mungojnë argumentet, shtohen emocionet.
Por kjo nuk është më shumë se një kundrapeshë e përkohshme ndaj pakënaqësisë. Dhe, në të vërtetë, është edhe më keq: është mashtrimi i vetvetes. Një shpresë në ajër. Një shpresë se, po ra shi, mirë; po ra edhe breshër, prapë mirë. Mjafton që qytetari të mos shohë problemin që ka përpara, por atë që i tregohet si kërcënim pas shpine. Vuçiç duhet ta kuptojë se Serbia e sotme dhe rajoni nuk janë Serbia dhe rajoni i djeshëm. Raporti gjeopolitik ka ndryshuar. Raporti ekonomik ka ndryshuar. Raporti diplomatik ka ndryshuar. Por mbi të gjitha ka ndryshuar qytetari. Ky është ndryshimi që shumë liderë ende nuk duan ta pranojnë. Qytetari i sotëm nuk rritet më përpara gazetës, televizorit apo deklaratës së liderit, duke pritur të mësojë prej tij se çfarë duhet të mendojë. Ai sheh, krahason, udhëton, komunikon, lexon dhe gjykon vetë.

Ka ikur koha kur lideri ishte burimi i vetëm i së vërtetës. Dhe pikërisht këtu fillon problemi i madh i politikës së nacionalizmit. Mund të mashtrosh një turmë për një ditë. Mund të ndezësh emocionin për një javë. Mund të krijosh një atmosferë për një fushatë. Por nuk mund ta mbash një shoqëri përgjithmonë të ushqyer me frikë, armiq dhe mite.
Sidomos kur përballë ke një brez qytetarësh që e di shumë mirë se jeta nuk matet me madhështinë e fjalimeve, por me cilësinë e saj. Prandaj, Vuçiç, livadhis në një livadh politik që sa më shumë e zgjeron me nacionalizëm, aq më shumë tregon ngushtësinë e alternativave të tua.

Dhe mos u mbështet shumë as te mercenarët politikë, mediatikë apo propagandistikë, brenda dhe jashtë Serbisë, që mund t’i paguash me taksat e qytetarëve serbë për t’i bërë freskë një politike të vjetër. Ata mund të bëjnë zhurmë. Mund të prodhojnë lajme. Mund të sulmojnë kundërshtarë. Por nuk mund të ndryshojnë realitetin. Ashtu si nuk mund të ndryshojnë malet në fusha vetëm duke i quajtur fusha.
Mund të kesh bindur dikur ndonjë faktor ndërkombëtar. Mund të kesh fituar kohë. Mund të kesh përdorur me mjeshtëri dobësitë e një klase politike europiane shpesh pa bosht dhe pa vizion. Por nuk mund ta detyrosh historinë të kthehet pas. Dhe këtu dua të jem i qartë edhe për Kosovën. Qytetari kosovar mund të jetë më i varfër se qytetari i shumë vendeve europiane. Mund të ketë probleme të mëdha ekonomike e sociale. Por kjo nuk do të thotë se është qytetar pa dinjitet, pa kujtesë dhe pa vetëdije. Nuk besoj se ai do të bëhet pre e nacionalizmit të askujt. Aq më pak do të jetojë me frikën që politika serbe përpiqet herë pas here t’i prodhojë. Ne nuk duam tokat tuaja. Madje, për qytetarët serbë do të donim më shumë mirëqenie, më shumë zhvillim dhe më shumë mundësi. Nëse do të ishte në dorën tonë, edhe detin do t’ua afronim më pranë.

Por ka një gjë që nuk mund ta bëjmë për ju:
Nuk mund t’ju ndryshojmë politikën.
Atë duhet ta ndryshoni ju.
Ndryshoni politikën që jeton me frikën e tjetrit. Ndryshoni politikën që ushqehet me të kaluarën. Ndryshoni politikën që i sheh fqinjët si kërcënim sa herë që i duhet një pikë më shumë në sondazhe.
Dhe, mbi të gjitha, ndryshoni kulturën politike që e ka kthyer nacionalizmin në një mënyrë për të fshehur dështimet e qeverisjes.
Sepse Serbia nuk ka nevojë për më shumë armiq. Ka nevojë për më shumë qytetarë. Ka nevojë për institucione.
Ka nevojë për ekonomi.
Ka nevojë për diplomaci.
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një politikë që nuk ka frikë nga qytetari i vet. Kjo është beteja e vërtetë. Jo kush bërtet më fort për kombin.
Por kush i shërben më mirë qytetarit. Dhe kjo është një garë që nacionalizmi, sado fort të ndizet, nuk mund ta fitojë përgjithmonë.

Share This Article