”Luftëtari” shkëlqen në miqësore duke mposhtur ”Butrintin” 6-1, ja shënuesit…

Jugulajm.net
3 Min Read

Ekipi i futbollit ”Luftëtari” i Gjirokastrës ka dhuruar një paraqitje shumë pozitive në ndeshjen miqësore të zhvilluar pasditen e së mërkurës ndaj ”Butrintit” të Sarandës, duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-1.

Në një sfidë që u shërbeu të dy trajnerëve për të testuar gjendjen e skuadrave dhe për të provuar skema të ndryshme loje ishin gjirokastritët ata që dominuan thuajse gjatë gjithë 90 minutave.

Vendasit e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme duke kaluar në avantazh që në minutën e 5-të me sulmuesin Ziaj. Sulmuesi u shfaq sërish protagonist në minutën e 20-të kur realizoi edhe golin e dytë personal. duke i dhënë ”Luftëtarit” një epërsi të qetë që në mesin e pjesës së parë.

Nga ana tjetër ”Butrinti” u përpoq të reagonte dhe krijoi disa momente të mira por pa arritur të finalizonte. Ndërkohë në kohën shtesë të pjesës së parë Beji shfrytëzoi në maksimum një rast të krijuar dhe dërgoi topin në rrjetë në minutën dytë shtesë. duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin 3-0.

Edhe pjesa e dytë nisi me ritmin e vendasve fillimisht Beji realizoi në minutën e 57-të, duke shënuar dopietën personale dhe golin e katërt për Luftëtarin.

Butrinti arriti të ngushtonte diferencën në minutën e 61-të kur Mërkuri realizoi golin e vetëm për ekipin e Butrintit, por ky moment nuk ndikoi në ecurinë e takimit. Luftëtari vazhdoi të kontrollonte lojën dhe krijoi raste të njëpasnjëshme teksa ë minutën e 73-të ishte radha e mesfushorit gjirokastrit Puci, që të regjistronte emrin në listën e golashënuesve.

Ndërsa në minutën e 83-të Shatro vulosi rezultatin përfundimtar 6-1, duke kurorëzuar një paraqitje mjaft bindëse të skuadrës gjirokastrite.

Për stafin teknik të Luftëtarit kjo ndeshje ishte një tregues pozitiv i punës së bërë gjatë fazës përgatitore me skuadrën që u shfaq efikase në sulm dhe me ritëm të lartë loje.

Nga ana tjetër Butrinti do të nxjerrë mësimet e nevojshme nga kjo humbje duke vijuar përgatitjet me synimin për të korrigjuar mangësitë e evidentuara përpara nisjes së sezonit të ri zyrtar.

Luftëtari-Butrinti 6-1 (shënues: Ziaj 5′,20′, Beji 45+2′,57′ , Puci 73′, Shatro 83’/ Mërkuri 61′)

Share This Article