Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, inspektim në Himarë, për masat e marra për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik.
Gjatë inspektimit, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, u diskutua mbi bashkërendimin e punës ndërmjet Policisë së Shtetit dhe pushtetit vendor për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, sigurisë rrugore dhe asaj detare, reagimin e menjëhershëm në çdo situatë emergjente, si dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për pushuesit vendas dhe të huaj.
Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita prezantoi një nga risitë e rëndësishme të këtij sezoni turistik.
Drejtor Hita: “Jemi në Himarë, një ndër destinacionet turistike më të veçanta të Shqipërisë. Edhe këtu Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë, por edhe për sigurinë detare dhe sigurinë rrugore, si elemente kryesore të sigurisë.
Dua të bëj me dije një risi që ne tashmë e kemi filluar gjatë këtij viti, ku kontrolli kufitar detar do të bëhet në det. Pra, nuk ka më nevojë që jahtet apo anijet lundruese që do të jenë në det të vijnë te pika e kalimit kufitar, por ne do të shkojmë tek ata dhe do të bëhet kontrolli direkt në sistemin TIMS, ku do të hidhen të dhënat e të gjithë pushuesve që vijnë dhe frekuentojnë bregdetin tonë.
Është për herë të parë këtë vit dhe ky është patjetër një zhvillim shumë i rëndësishëm për të rritur cilësinë e shërbimeve policore, për të ofruar më shumë rend, siguri dhe siguri detare.”





