Një aksident ka ndodhur ditën e sotme, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në kanalin anësor të autostradës në aksin rrugor ”Fier–Lushnjë”, pranë fshatit Vajkan. Përplasja e fortë ka shkaktuar plagosjen e katër personave, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.
Sipas të dhënave paraprake, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e aksidentit, njëra prej korsive është bllokuar, duke shkaktuar radhë kilometrike automjetesh në këtë aks, i cili gjatë sezonit veror ka një fluks të lartë qarkullimi.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa po punohet edhe për normalizimin e trafikut.




