Kur partitë politike humbasin filozofinë, atëherë humbet edhe interesi kombëtar…

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Kur partitë politike humbasin filozofinë, demokracia humbet drejtimin. Kur partitë humbasin karakterin kombëtar, shteti humbet të ardhmen. Debati nuk duhet të kufizohet te emrat që largohen apo emërohen në drejtimin e një partie. Kjo është vetëm pasoja. Shkaku është më i thellë: humbja e filozofisë, e ideologjisë dhe e detyrimit mbarëkombëtar që duhet të ketë çdo forcë politike.

Në demokracitë moderne partitë janë, në thelb, parti elektorale. Ato garojnë për të fituar besimin e qytetarëve përmes ideve, programeve dhe alternativave. Por në Shqipëri po ndodh një deformim edhe më i madh. Partitë po humbasin jo vetëm identitetin ideologjik, por edhe vetë karakterin e tyre institucional, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në parti personale, familjare dhe, në disa raste, edhe krahinore.

Ky është rreziku më i madh për demokracinë. Kur një parti ndërtohet mbi besnikërinë ndaj një individi dhe jo mbi konkurrencën e ideve, meritokracinë dhe përfaqësimin, ajo pushon së qeni institucion politik dhe kthehet në një strukturë klienteliste. Në vend të debatit vjen bindja, në vend të meritës vjen afërsia, ndërsa interesi kombëtar zëvendësohet nga interesi i grupit.

Nëse i analizojmë dy partitë kryesore shqiptare, shohim se secila e shfaq këtë krizë në mënyrën e saj.
Partia Socialiste duket se e ka zëvendësuar debatin ideologjik me logjikën e pushtetit dhe efikasitetit elektoral. Vendimmarrja është përqendruar, ndërsa programi dhe debati i brendshëm kanë humbur peshë përballë autoritetit të lidershipit.

Partia Demokratike, nga ana tjetër, ndodhet përballë një sfide tjetër. Ajo lindi si partia e pluralizmit, e lirisë dhe e meritokracisë. Pikërisht për këtë arsye, çdo largim nga filozofia e saj themeluese është më i ndjeshëm. Kur në strukturat drejtuese krijohen perceptime se po zbehet përfaqësimi i mendimit ndryshe, i figurave me peshë apo i balancave që e kanë karakterizuar historikisht, lind e drejta për të kërkuar shpjegime politike. Këto pyetje nuk duhet të interpretohen si akuza, por si një kërkesë legjitime për transparencë dhe koherencë me parimet mbi të cilat është ndërtuar partia.
Paradoksi është se, megjithëse ndjekin rrugë të ndryshme, të dyja partitë rrezikojnë të mbërrijnë në të njëjtin destinacion: zëvendësimin e institucioneve me individin, të filozofisë me pragmatizmin e momentit dhe të interesit kombëtar me interesin e ngushtë politik.

Nëse kjo prirje vazhdon, Shqipëria nuk do të ndërtojë parti moderne evropiane, por “fise” të reja politike. Do të ndërtojmë barraqe politike me pamje moderne, por me logjikën e mesjetës, ku rëndësi nuk ka ideja, por përkatësia; nuk ka rëndësi aftësia, por besnikëria; nuk ka rëndësi institucioni, por kryetari.

Shqipëria ka nevojë për parti që përfaqësojnë kombin, jo rrethin; qytetarin, jo klientin; idenë, jo individin. Vetëm parti të tilla mund të ndërtojnë një shtet modern, institucione të forta dhe një demokraci funksionale.

Në fund të fundit, madhështia e një partie nuk matet me numrin e mandateve që fiton, por me aftësinë për të prodhuar ide, për të pranuar mendimin ndryshe, për të respektuar meritën dhe për ta vendosur interesin kombëtar mbi çdo interes tjetër. Vetëm atëherë politika bëhet shërbim. Përndryshe, ajo mbetet thjesht administrim i pushtetit. Shqipëria nuk ka nevojë për parti që fitojnë zgjedhje me çdo kusht. Ka nevojë për parti që fitojnë besimin e qytetarëve, sepse vetëm besimi ndërton institucione, ndërsa pushteti pa besim ndërton vetëm sundim.

Share This Article