Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Treviglio të Italisë, nën akuzën se ka tentuar të vrasë një 35-vjeçar maroken gjatë një përplasjeje të dhunshme që nisi në stacionin e trenit dhe përfundoi me goditje me thikë.
Rreth orës 22:00, shqiptari dhe marokeni zbritën nga i njëjti tren në stacionin e Treviglios. Aty po prisnin edhe dy persona të tjerë nga Afrika e Veriut, miq të 35-vjeçarit. Mes palëve kishte nisur një debat që më herët, por pasi zbritën nga treni situata u përshkallëzua dhe përplasja u bë gjithnjë e më e dhunshme.
Butt Mazahr, pronari i lokalit “Sweet Coffee” pranë stacionit, ka treguar se e ka parë konfliktin nga banaku, ndërsa klientët e pranishëm ndiqnin të habitur atë që po ndodhte.
“I pashë duke zbritur nga vagoni duke u grindur dhe aty iu afruan edhe dy burra të tjerë. Shqiptari bërtiste: ‘Ju vras more marokenë, ju vras!’”
Një pjesë e fazës së parë të konfliktit është regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë.
Sipas hetimeve, 35-vjeçari maroken, i cili ndodhej ilegalisht në Itali dhe ishte i njohur më parë nga autoritetet, dyshohet se, i shtyrë nga xhelozia, e ka kërcënuar shqiptarin në nënkalimin e stacionit me një thikë të madhe kuzhine.
Konflikti mund të kishte përfunduar në atë moment, por përplasja vijoi më pas në një parking në bulevardin Vittorio Veneto, pranë xhamisë.




