Banorët e kateve të sipërme në disa pallate në qytetin e Memaliajt, po përjetojnë prej vitesh një situatë të pakëndshme.

Tarracat e tyre pikojnë në mot me rreshje ndonëse janë investuar 2.9 milionë lek për hidroizolimin nga fonde të bashkisë, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, madje është përkeqësuar edhe më shumë.

Cilësia e punimeve ka qenë jashtë çdo lloj parametri teknik, e gjithashtu dhe punonjësit që janë marrë me hidroizolimin.

Vetë banorët e këtyre pallateve denoncojnë faktin e investimit nga bashkia çka u ka hapur probleme më shumë sesa kur ishte para ndërhyrjes.

Ndonëse bashkia investoi miliona lekë, atyre sërish u është dashur të hedhin nga xhepi i tyre për të rregulluar defektet e lëna gjatë ndërhyrjes për hidroizolim, prej punëtorëve të firmës që u mor me rigjenerimin e tarracës.

Pra ata thonë që ishim më mirë kur ishim keq.

Nga ana e vet Bashkia Memaliaj, pranon gjendjen e rënduar që egziston tek disa pallate e gjithashtu, thotë se firma që ka kryer punimet, ka marrë 75% të vlerës investuese çka për të është justifikim për cilësinë e punimeve.

Inxhinierja në këtë bashki, Violeta Kanushi, shprehet se është paraqitur një projekt tek FSHZH për të kryer tjetër hidroizolim, jo vetëm tek pallatet që pikojnë, por tek të gjithat së bashku me meremetimin e ambjenteve të tjera shtesë siç janë vetratat apo fasadat.

Sipas inxhinieres së bashkisë, shpresohet që me miratimin e këtij projekti, cilësia e punimeve për hidroizolimin e tarracave, të jetë më e mirë sesa ajo e 2 viteve të shkuara.