Situata në Kardicë të Greqisë, dhe më konkretisht në zonën e Palamasë mund të cilësohet si dramatike. Gjithçka është kthyer në një liqen të madh pasi  shirat nga stuhia Daniel kanë goditur  të gjithë zonën përreth.

Një imazh personifikues i “luftës” së banorëve, është një grua që po përpiqet që të shpëtojë fëmijën e saj, të cilin e kishte vendosur mbi një kamerdare.

Videoja është filmuar nga një qytetar dhe më pas është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Pas vapës së madhe dhe zjarreve, tashmë vendi po përballet me një tjetër katastrofë. Prej disa ditësh, Greqia tashmë ndodhet me një situatë tepër të vështirë si pasojë e motit të keq, shoqëruar me shira masivë dhe përmbytje.

Prurjet e mëdha kanë përmbytur rrugë, shtëpi dhe gjithçka u ka dalë përpara.

Të paktën dy persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë të zhdukur, ndërsa ditën e djeshme u raportua se, një nga viktimat është nga Shqipëria.