Një 40-vjeçar i identifikuar si Qerim Hani, ka humbur jetën këtë të enjte në ambientet e burgut të Lezhës.

Nga informacionet paraprake mësohet se i riu është konstatuar rreth orës 12:20 në ambientet e dusheve të godinës nr 5, në katin e tretë të kësaj godine në seksionin e masave mjekësore.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, nga vlerësimi paraprak, konstatohet se vdekja e pacientit ka qenë pasojë e vetëvarjes.

Fillimisht 40-vjeçari mësohet se është konstatuar me shenja jete në ambientet e dusheve, dhe në këtë moment punonjësit e shërbimit kanë njoftuar mjekun roje të spitalit të burgut.

I burgosuri kishte mbërritur në ambientet e IEVP Lezhë nga burgu i IEVP Krujë në datën 27.11.2021.

Transferimi i tij është bërë për shkak të problemeve shëndetësore që kishte shfaqur, dhe në IEVP Lezhë ai ishte me masë mjekësore ‘Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor’ me diagnozë “Çrregullim psikotik i paspecifikuar” me mjekim ‘Respiridon dhe Amitriptiline’

Në momentin e konstatimit me shenja jete pak pas mesditës së kësaj të enjteje, ai është nisur me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës me shenja jete, por ka ndërruar jetë më pas.