Drama e familjes Ziai në qytetin e Gjirokastrës, vazhdon edhe pas vdekjes së të birit 3 vjecar Fabios, i cili u trajtua dhe prej një prej bamirësve në Shqipëri sic është Elvis Naçi, por që nuk rezultoi të ishte aksion i suksesshëm.

Dhimbja që shkaktoi ndarja nga jeta e Fabios së vogël, ka tronditur shumë dy kryefamiljarët Ermal dhe Feride Ziai. Kjo e fundit madje siç rrëfen për Jugulajm.net, ka tentuar të vrasë veten nga dhimbja prej humbjes së të birit të saj të vetëm. Sot i gëzohen Kleas vajzës 3 vjeçare, e cila rritet me hallet e përditshme dhe mungesën e sigurimit të ushqimit. Kjo familje jeton buzë lumit Drino në një apartament me qera.

Prej muajsh pronari i këtij apartamenti ka kërcënuar se do t’i dëbojë, pasi nuk u kanë shlyer pagesat mujore. Ermali si kryefamiljar përditë vështrimin e ka tek bregu i lumit, ku dhe grumbullon kanoçe apo dhe hekurishte të ndryshme kundrejt një pagese ditore më shumë sesa modeste.

Herë pas here merr me vete edhe bashkëshorten dhe fëmijën e vetëm në kërkim të kanoçeve të braktisura anës lumit apo mbeturinave urbane. Sakrifikojnë për vajzën e vetme duke mos ngrënë dhe ofruar fëmijës kafshatën e tyre. Ferideja ka dhe dy fëmijë nga martesa e hershme të cilët ndodhen në shtëpinë e fëmijës Zyber Hallulli në Tiranë. Rrallë i shikon pasi nuk ka mundësi të udhëtojë drejt kryeqytetit për shkaqet ekonomike që dihen. Fati e ka qëlluar atë deri në dhimbje duke i marrë fëmijën 3 vjecar.

Ferideja shumë herë kohët e fundit ka tentuar të vetvritet në mungesë të sigurimit të ushqimit. Është e aftë për punë, por nuk është e shkolluar. I vetmi që e ka shpëtuar nga vdekja, ka qenë bashkëshorti i saj Ermali.

Deri më tani askush nuk i ka hedhur sytë nga kjo familje e gjorë dhe e vobekte. Pasuria e vetme e tyre është kjo vajzë e cila u’a solli Zoti si ëngjëll mbrojtës pasi humbën Fabion.

Ata apelojnë për mbështetje tek autoritetet apo bizneset që t’u sigurojnë një strehë apo dhe ushqime, jo për veten e tyre se tashmë u është bërë e zakonshme të hanë 2 herë në javë, por për vajzën e mitur e cila dhe ajo ka ëndërrat e saja për të ngrënë njësoj si gjithë bashkëmoshatarët e vet.