Emisioni “Në Shënjestër” në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme ngjarjen tragjike në Shkodër, ku një nënë u mbyt në ujërat e lumit bashkë me tre fëmijët e saj.

Pjesë nga dokumentari:

Ndërkohë që Prokuroria konfirmoi edhe lëvizjet e fundit të nënës dhe tre fëmijëve të saj, mbrëmjen para se t’i jepte fund jetës, ku ajo u pa t’u takonte në një kafe me kunatën e saj. Dhe pas qëndrimit për afro 2 orë dhe ndarjes me të, ajo me fëmijën e vogël në krah dhe dy vajzat që e shoqëronin, të merrte rrugën në trotuarin që të çon te ura e vjetër e lumit Buna.

Nga të dhënat e hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se më datë 3 Maj 2024, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi Ergdys Arrazi, i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij shtetases Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.  Nga deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, del se më datë 2 Maj 2024, pasdite, shtetasja Alma Arrazi. bashkë me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën, shtetasen V.P., në lagjen ‘Iliria’ Shkodër. 

Aty ku kanë qëndruar për rreth dy orë dhe nga ku më pas mësohet se Alma Arrazi, i ka thënë kunatës se do ta merrte vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej”, thuhet në dosje.

Por nga këqyrja e pamjeve filmike rezultoi se Alma Arrazi në fakt nuk i kishte treguar të vërtetën kunatës së saj. Pasi ndryshe nga sa i tha, se do shkonte te i vëllai, ajo vihet re më tej teksa ecën në trotuarin që të çon për në urën e lumit Buna. Aty ku në muzgun e ditës, në fillim të urës humbasin edhe gjurmët e saj dhe të fëmijëve.

Nga ky moment kamerat në zonë nuk kanë mundur të fiksojnë më tej lëvizjen e tyre.

“Nga administrimi i pamjeve filmike, pasi është  ndarë nga kunata, Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te ‘Ura e Bunës’ së vjetër, në drejtim të ‘Kishës së Zojës’, Shkodër. Ndërkohë që dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 2 maj 2024”, sqaron prokuroria.

Por si mundi Alma e vetme ta bëjë një akt të tillë? A e kishte paramenduar ajo në kokën e saj të gjithë këtë skenar? Çfarë ndodhi me të dhe fëmijët pasi u futën në urë atë mbrëmje, kur drita sapo kishte rënë mbi qytet?

Është e vështirë për të menduar se si ajo është sjellë në ato momente dhe si ka mundur ta kryejë e vetme një akt të tillë, nëse ishte e kthjellët në veprimet e saj, apo e rënduar psikologjikisht, duke pasur parasysh edhe dy vajzat në moshë të rritur, si edhe faktin që parmakët e urës së vjetër në lumin Buna, janë në një lartësi që e kalojnë shtatin e tyre.

Si edhe faktin që në atë orë, ura ka pasur ende vizitorët e saj dhe dikush duhet të kishte parë diçka të pazakontë. Por për grupin hetues nuk ka dyshime se këto parmakë të urës, ku edhe peshkatarët duhet të ngjiten deri lart për të hedhur grepat, janë vendi nga ku Alma hodhi fillimisht vajzat e saj dhe më pas veten dhe djalin, për tu vetëflijuar në një akt të pashembullt.

Më datë 4 maj 2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë u njoftuan se në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njësia Administrative Dajç, është gjetur trupi i pajetë i një fëmije të mitur, që më pas u identifikua si shtetasja E.A, e datëlindjes 20 Tetor 2015. Ku pas këqyrjes së kufomës, nga ana e mjekut ligjor, nuk u konstatuan shenja dhune. Si edhe u vendos kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe të shkakut të vdekjes”, thotë Prokuroria.