Prokuroria e Posaçme kërkon që Fredi Beleri të dënohet me 2 vite e 6 muaj burg pasi është fajtor për korrupsion zgjedhor.

Në pretencën e lexuar këtë të martë në seancën e radhës për kryebashkiakun e zgjedhur, por të pabetuar, të Himarës, SPAK kërkoi edhe dënimin me 2 vite burg për Pandeli Kokaveshin, por gjithashtu kërkoi pezullim të këtij dënimi dhe lënien në shërbim prove për 4 vite.

Seanca për argumentet përmbyllëse të palës mbrojtëse u caktua të zhvillohet më 28 shkurt, në orën 14:30. SPAK e akuzon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje.

Ai u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe që prej asaj kohe qëndron në paraburgim, duke mos u lejuar që të betohet si kryebashkiak i Himarës.