Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço dhe gazetari i kronikës, Igli Çelmeta, komentuan ngjarjet kriminale që ka ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ku padyshim spikat zhdukja e Ervis Martinajt.

Eksperti i kriminalistikës i ftuar në studion e News 24 u shpreh se tanimë grupet kriminale janë sofistikuar dhe vetë nuk marrin pjesë  në ngjarje, por paguajnë vrasës, mundësisht edhe të huaj  për të humbur gjurmët, duke shtuar faktin se për zhdukjen e Martinajt dyshohet se  është krijuar një federatë  e këtyre grupeve.

“Për zhdukjen e Ervis Martinajt, dyshohet se është krijuar një federatë . Disa grupe kriminale janë bërë bashkë për ta hequr qafe,” tha ndër të tjera ai.

Ndërkohë që fati i Martinajt mbetet mister, gazetari kronikës në News24, Igli Çelmeta tha se shteti dhe Policia e Shtetit e di tanimë të vërtetën për Vis Martinajn, por se kur do ta zgjedhin ta bëjnë publike nuk dihet.

“Unë si gazetar mund të konfirmoj që shteti dhe Policia e Shtetit e dinë të vërtetën për Ervis Martinajn, por se kur do të zgjedhin ta bëjnë publike, nuk e di” tha Çelmeta.

Kujtojmë që Martinaj është zhdukur që në muajin gusht të vitit 2022 dhe ende nuk dihet fati i tij.