Pas shumë aludimesh dhe lajmesh në rrjet, është konfirmuar zyrtarisht se cili do të drejtojë edicionin e 3-të të “Big Brother VIP Albania”.

Nëpërmjet një video në rrjetet sociale, “Top Channel”, ka konfirmuar se BBV këtë sezon ndryshe nga dy sezonet e kaluara, nuk do të jetë në drejtimin e Arbana Osmanit, por do të drejtohet nga moderatori Ledion Liço.

Po ashtu është konfirmuar se spektakli do të nisë më 13 janar.

Deri më tani kanë qenë të shumtë emrat e personazheve VIP, të cilët janë aluduar se do të jenë pjesë si banorë këtë edicion, por vetë këngëtari kosovar Bardhi ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.

Bardhi lumturoi fansat e tij live gjatë një koncerti në Tiranë, ku tha: “Do këndoj një këngë që ju më keni bërë të njihem në Shqipëri, dhe dua t’ju kallëzoj diçka, jam pjesë e “Big Brother VIP” 3. Kështu që e shfrytëzova rastin më jua marr votat që tani”.

Deri më tani në rrjet qarkullojnë emra e personazheve si Endrik Beba, Alfio Rrotani, këngëtari La Fazani (Arbër Salihu), Egli Tako, Olsi Bylyku, Adelina Tahiri, Roza Lati, Fation Kuqari dhe Romeo Veshaj.