Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin Th. K., 57-vjeç, rezident në Greqi, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 20.08.2022, ka hyrë në RSH në mënyrë të paligjshme, nga kufiri i gjelbër në PKK Kakavijë. 57-vjeçari, i cili ishte duke drejtuar motomjetin tip “Kawasaki”, është konstatuar nga punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët i kanë komunikuar se do të shoqërohej për veprime të mëtejshme procedurale. Shtetasi Th. K., ka kundështuar punonjësit e Policisë dhe është larguar me shpejtësi me motomjet duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, njëri prej të cilëve ka marrë dëmtime të lehta. Menjëherë nga shërbimet e DVKM Gjirokastër është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i 57-vjeçarit, i cili nuk ka pasur as dokumentacionin e nevojshëm, për drejtim të motomjetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.