Në Tiranë është promovuar libri i historianit Arben Llalla me titull “Arvanitët – Themeluesit e Greqisë së re”. Autori tregoi se si e nisi rrugën e studimit për shqiptarët në Greqi. Ai rrëfeu edhe disa ngjarje në fjalën e tij përpara miqve që ishin të pranishëm.

Unë kisha vajtur në Greqi si të gjithë shqiptarët pa letra, por Dritëro Agolli më lidhi me studiuesin Aristidh Kola. Këto materiale që mblodha në vitin 2000 i mora dhe i çova në Akademinë e Shkencave, por sekretari më tha “faleminderit, këto materiale mund t’i marrësh”.

Në këtë kohë takova një çam, Ibrahim Hoxhën, që më tha, “o djalë, ke dy rrugë, ose këto materiale t’i çosh në ambasadën greke dhe të marrësh ca Dhrami dhe ata t’i fusin shtatë pash nën dhe, ose t’i lexosh dhe të bëhesh një studiues i mirë dhe që atëherë fillova t’i botoj dhe si fryt i asaj pune erdhi ky libër” tha ai.

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu u shpreh se në këtë libër Arben Llalla sjell fakte të rëndësishme. “Arben Llalla rrëzon cdo përpjekje për të ngatërruar prejardhjen e arvanitëve.

Një fakt që flet për mosekzistencën e një etnie greke antike është fakti që në shekullin XII kur Greqia del në histori, atje nuk ka një popullsi që flet greqisht, të dhënat tregojnë se popullsia e atyre territoreve flasin shqip. Gjuhën greke e përdornin vetëm kisha dhe administrata bizantine. Kjo i shokoi historianët” tha ai.