Një 30-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali.

Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e kaluar pak pas orës 19:30 në seksionin urban Gaeta të rrugës rajonale Flacca dhe viktima është identifikuar si Dhurim Shini.

Si pasojë e përplasjes kokë më kokë, mes një mjeti tip ‘Opel’ dhe një ‘Smart’, ka humbur jetën i riu shqiptar, ndërsa janë plagosur dy persona të tjerë.

Përplasja ka qenë tepër e fortë dhe shqiptari që po drejtonte mjetin ‘Smart’ ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy gratë që ishin në mjetin ‘Opel’ u plagosën rëndë dhe u dërguan në spitalin Dono Svizzero në Formia.

Oficerët e Policisë Vendore të Gaetës dhe Policisë Rrugore të Formias po hetojnë shkaqet e këtij aksidenti.

I trishtë është fakti se numri i shqiptarëve që humbin jetën në aksidente tragjike sa vjen e rritet.

Vetëm gjatë kësaj fundjave që sapo lamë pas, në Itali kanë humbur jetën 4 të rinj shqiptarë, ndërsa një i pestë është në gjendje të rëndë.