Boksieri shqiptar, Adam Maca ishte një nga yjet më të ndritur evropianë në dy kampionatet e fundit të EUBC Junior.

Boksieri i ri përfaqësoi Anglinë dhe fitoi dy herë medaljen e artë evropiane. Maca synonte gjithashtu të fitonte titullin e kampionit të botës, por situata ka ndryshuar që atëherë dhe Anglia u largua nga IBA për t’iu bashkuar “World Boxing”.

Megjithatë, gatishmëria e Maca për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Juniorëve IBA në Jerevan ishte aq e madhe sa zgjidhja u gjet.

Federata Shqiptare e Boksit u shpreh e lumtur për zgjedhjen e sportistit për të ndryshuar kombësinë dhe për të luftuar për atdheun e tij, Shqipërinë.

Maca filloi të përfaqësonte Shqipërinë dhe erdhi në kryeqytetin e Armenisë për qëllimin e tij.

“Kam kaluar një kohë shumë të mirë duke përfaqësuar Anglinë, jam i kënaqur me mundësitë që pata atje. Tani po luftoj për Shqipërinë dhe jam i lumtur që përfaqësoj atdheun tim historik”, tha boksieri Maca.

“Unë dua vetëm të luftoj, të mos përfshihem në politikë. Unë jam këtu për boks dhe është një mundësi e madhe për mua, të cilën nuk mund ta humbas”, theksoi ai për “Insidethegames”.

Ylli shqiptar në ngritje i boksit bëri një rrugëtim mbresëlënës në Jerevan, duke mposhtur me shumë besim rivalët e fortë nga Uzbekistani, Bjellorusia dhe Afganistani. Megjithatë, ishte Platon Kozlov nga Rusia që mori medaljen e artë në peshën 57 kg për meshkuj, duke mundur në finale Macën me vendim unanim.

“Jam i kënaqur me mënyrën se si shkoi turneu. Kam pasur katër ndeshje dhe kam dalë me medaljen e argjendtë për vendin tim. Kam humbur në finale në një meç të ngushtë 50/50. Jam i kënaqur me paraqitjen time dhe do të rikthehem vitin e ardhshëm për medaljen e artë”, shtoi ai.

Edhe pse medalja e artë ishte synimi i tij kryesor, Maca nuk është i zhgënjyer me atë të argjendtë.

“Do të doja të kisha më shumë, por jam i kënaqur edhe me medaljen e argjendtë. Unë do të përpiqem për më shumë në të ardhmen”, tha Adami.

Dhe sportisti shqiptar të ardhmen e sheh nën IBA.

“Patjetër që IBA është organizata në të cilën dua të luftoj. Kampionati Botëror është një mundësi e madhe, të cilën nuk mund ta humbisja sidomos pas dy titujve evropianë”, përfundoi Maca.