Qeveria shqiptare po përballet me kritika të forta në mediat ndërkombëtare për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, i planifikuar të mbahet më 11 korrik në Tiranë.
Media italiane Il Post shkruan se eventi, i promovuar nga kryeministri Edi Rama si një mënyrë për të tërhequr turistë të huaj, është kthyer në një “gjysmë dështim”, pasi shitjet e biletave kanë rezultuar shumë më të ulëta nga sa ishte parashikuar.
Sipas artikullit, qeveria është detyruar të përdorë mbi 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit, i destinuar zakonisht për emergjenca dhe fatkeqësi natyrore, për të mbuluar kostot e organizimit dhe për të shmangur anulimin e koncertit.
Media italiane thekson se Rama është kritikuar jo vetëm për përdorimin e fondeve publike, por edhe për faktin se ka mbështetur organizimin e një koncerti të Kanye West, artist i cili është ndaluar të performojë në disa vende evropiane për shkak të deklaratave të tij antisemitike dhe pro-naziste.
Artikulli e lidh gjithashtu këtë çështje me protestat antigovernitare që prej javësh zhvillohen në Shqipëri kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur, projekt i lidhur me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas medias, protestuesit e shohin koncertin si një tjetër shembull të përdorimit të parave publike për projekte që, sipas tyre, nuk sjellin përfitime afatgjata për qytetarët.
Në shkrim kujtohet se Kanye West mbetet një nga artistët më të njohur të dy dekadave të fundit, por reputacioni i tij është dëmtuar rëndë nga deklaratat raciste dhe antisemitike, përfshirë publikimin e këngës “Heil Hitler”. Për këtë arsye, vende si Britania e Madhe, Franca, Zvicra, Polonia dhe Australia kanë anuluar koncertet e tij ose i kanë refuzuar hyrjen në territor.
Sipas Il Post, asnjë qeveri evropiane nuk është angazhuar kaq aktivisht për të garantuar zhvillimin e një koncerti të Kanye West sa qeveria shqiptare.
Artikulli kujton edhe reagimin e Ramës, i cili ka deklaruar se ndërhyrja financiare ishte e domosdoshme për të shmangur një anulim që do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë. Kryeministri ka pretenduar se koncerti pritet të sjellë rreth 25 mijë turistë të huaj dhe një ndikim ekonomik prej 100 milionë eurosh, megjithëse kjo shifër është konsideruar jorealiste nga ekonomistë dhe ish-zyrtarë të qeverisë.
Në fund, media italiane thekson se nuk janë bërë publike shifrat zyrtare të biletave të shitura, por dyshimet janë se ato kanë qenë shumë më pak se objektivi prej 60 mijë biletash. Sipas raportimit, organizatorët kanë ofruar edhe promocione me bileta falas dhe disa media shqiptare kanë raportuar për shpërndarje falas të biletave në Tiranë.




