Studiues, pedagogë dhe kërkues shkencorë nga universitete dhe institucione të Evropës dhe Azisë u bënë bashkë në Gjirokastër në një konferencë ndërkombëtare kushtuar shkencës, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Rreth 120 autorë morën pjesë me punimet e tyre shkencore në këtë konferencë me format hibrid, të organizuar nga Universiteti “Eqrem Çabej” në partneritet me 12 universitete të tjera.
Konferenca Ndërkombëtare “Shkenca dhe Inovacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm” solli në vëmendje kërkime, qasje dhe përvoja nga fusha të ndryshme të dijes, duke krijuar një hapësirë shkëmbimi mes botës akademike dhe kërkimit bashkëkohor.
Aktiviteti nisi me seancën plenare të zhvilluar në kalanë e Gjirokastrës, ku drejtues universitetesh dhe personalitete të fushës akademike ndalën vëmendjen te roli i kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në përballimin e sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Punimet vijuan më pas në sesione shkencore paralele, ku u prezantuan studime nga shkencat humane dhe natyrore, ekonomia, teknologjia, shëndetësia, mjedisi dhe fusha të tjera të kërkimit.
Përmes kësaj konference, Universiteti “Eqrem Çabej” synon të forcojë më tej bashkëpunimin akademik ndërkombëtar dhe të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive, ideve dhe rezultateve të kërkimit shkencor.



