Protesta kërkon një shtet të ri, jo vetëm një qeveri të re

Jugulajm.net
6 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Vlera më e madhe e kësaj proteste është se meriton vëmendje, përqendrim, kthjelltësi dhe vendimmarrje të përgjegjshme nga e gjithë klasa politike.

Si çdo lëvizje qytetare, edhe kjo protestë ka mangësitë dhe teprimet e saj. Megjithatë, ajo ka arritur të vendosë “pikat mbi i” përballë realitetit që jetojnë Shqipëria dhe shqiptarët. Edhe pse tehu i kritikës drejtohet ndaj Edi Ramës, qëllimi i saj shkon shumë më larg se një individ apo një qeveri.

Ajo kërkon t’i japë fund tranzicionit të stërzgjatur dhe të ndërtojë një shtet me institucione të forta, e jo një shtet që varet nga vullneti i një individi të vetëm. Ky nuk është një problem i lindur sot. Është një praktikë që e ka shoqëruar shtetin shqiptar që nga krijimi i tij.

Ndryshojnë emrat dhe fytyrat, por modeli mbetet i njëjtë: institucioni zbehet përballë individit. Në fillim të viteve ’90 u besua se po ndërtonim një rend të ri. Në të vërtetë, në shumë drejtime bëmë vetëm një transformim: nga një grup i vogël me një drejtues në krye kaluam te disa grupe që shpesh vepruan me të njëjtën filozofi dhe me të njëjtat standarde.

Sot Shqipëria nuk ka më nevojë për të njëjtën logjikë që kishte në vitet ’90. Nuk mjafton krijimi i partive të reja apo zëvendësimi i një force politike me një tjetër. Shqipëria ka nevojë t’i japë fund mënyrës së të bërit politikë dhe modelit të drejtimit të shtetit që ka prodhuar këtë tranzicion pa fund.

Kjo është risia e kësaj proteste. Ajo nuk kërkon thjesht të sjellë në skenë një parti apo një formacion të ri politik. Kërkon ndryshimin e filozofisë së politikës dhe, mbi të gjitha, ndryshimin e filozofisë së drejtimit të shtetit. Shteti nuk është individi. Qeveria nuk është kryeministri. Shteti janë institucionet. Pa e kuptuar dhe pa e zbatuar këtë parim, nuk do të arrijmë të ndërtojmë asgjë të qëndrueshme.

Në historinë tonë politike, shpesh nuk kemi përmbysur modele, por kemi zëvendësuar individë. Nuk kemi korrigjuar sistemin, por kemi justifikuar vazhdimin e tij. Nuk kemi ndryshuar mentalitetin, por vetëm mantelin dhe kostumin. Nuk kemi ndërtuar institucione të reja; kemi ndërtuar godina të reja për institucione që vazhdojnë të funksionojnë me të njëjtën logjikë të vjetër.

Nëse protesta reduktohet në një përballje mes protestuesve dhe Edi Ramës, me fundin e saj te krijimi i një partie të re ose rrëzimi i kësaj qeverie, atëherë do të kemi bërë vetëm zgjatjen e së njëjtës histori me aktorë të tjerë.

Nëse, përkundrazi, synojmë vërtet një Shqipëri të re, atëherë duhet të pranojmë se nuk mjafton ndryshimi i disa ligjeve, i disa individëve apo i partive në pushtet. Shqipëria e re kërkon një filozofi të re, një kulturë të re politike, një qasje të re në qeverisje dhe një sjellje të re institucionale.

Shqipëria e re nuk duhet të mbahet mend për rolin e individëve, por për forcën e institucioneve, për programet, standardet dhe përgjegjshmërinë e tyre.
Shqipëri e re do të thotë të ndërtojmë diçka ndryshe nga ajo që kemi sot, ndryshe nga ajo që kishim dje dhe ndryshe nga ajo që kemi pasur për dekada.

Nëse protesta arrin të nxisë këtë ndryshim të thellë, atëherë ajo do ta ketë përmbushur misionin e saj historik. Por kjo nuk është përgjegjësi vetëm e protestuesve.

Është detyrë e çdo qytetari, çdo zyrtari, çdo pushtetari dhe çdo politikani, duke filluar nga Rama e Berisha e deri te zyrtari më i thjeshtë i administratës.

Në fund, suksesi i kësaj proteste nuk do të matet me numrin e pjesëmarrësve, as me rënien e një qeverie apo me ngritjen e një force tjetër politike. Suksesi i saj do të matet me aftësinë për të ndryshuar kulturën politike dhe mënyrën se si ndërtohet e funksionon shteti shqiptar.
Kur institucionet të jenë më të forta se individët, kur ligji të jetë më i fuqishëm se pushteti dhe kur qytetari të jetë mbi interesin partiak, vetëm atëherë mund të themi se tranzicioni ka përfunduar. Deri atëherë, çdo ndryshim emrash, partish apo qeverish do të jetë vetëm një kapitull i ri i së njëjtës histori.

Shqipëria nuk ka nevojë për një fitues të ri politik. Shqipëria ka nevojë për një model të ri shteti. Vetëm atëherë protesta do të ketë fituar kuptimin e saj të plotë dhe vendi ynë do të ketë fituar të ardhmen që meriton.

Share This Article