Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se rreziku për zjarre në vend do të jetë i shtuar gjatë pasdites së së dielës dhe ditës së hënë, me disa zona ku pritet nivel i lartë rreziku.
Sipas parashikimeve, qarqet Fier, Lezhë dhe Durrës paraqiten më të rrezikuarat, ku niveli i rrezikut për zjarre në pyje do të jetë i lartë.
Ndërkohë, në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër parashikohet nivel i moderuar rreziku, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Korçë niveli i rrezikut mbetet i ulët.
IGJEO bën me dije se në disa zona rreziku do të jetë lokalisht i lartë, konkretisht në jug të Shkodrës, perëndim të Tiranës, Elbasanit dhe Beratit, si dhe në veriperëndim të Vlorës.
Sa i përket kushteve meteorologjike, temperaturat maksimale të hënën pritet të arrijnë deri në 34°C në zonat e ulëta, 31°C në bregdet dhe rreth 27°C në zonat malore, ndërsa era do të fryjë e lehtë deri mesatare, por herë pas here e fortë në zonat malore dhe bregdetare.




