Gjirokastra fundjavave shndërrohet në qytetin më të vizituar në jug të vendit.
Volumi i turistëve të huaj po njeh rekorde nga viti në vit. Më së shumti janë ofertat që kanë gjeneruar përmes rrjeteve sociale nga kompani të ndryshme turistike, ato që mbledhin turistë të shumtë kryesisht perëndimor në qytetin e gurtë.
Nuk ka fundjavë që në Gjirokastër, të mos mbahet event muzikor që tërheq me mijëra vizitorë.
Emra të njohur të muzikës shqiptare si Elita 5, Vedat Ademi etj, kanë performuar këtë fundjavë për gjirokastritët, por dhe për turistët e shumtë në Odeonin Koncertor që është mu në zemër të Pazarit Karakteristik.
Ajo çka bie në sy ditët e fundit është prezenca e mjaft turistëve nga Skocia, Zvicra e Holanda, të cilët vijnë për herë të parë në qytetin e gurtë, duke zbuluar kështu një vend që përket tërësisht me ofertën që është reklamuar në rrjetet sociale.
Nëse do të flisnim me gjuhën e shifrave, vetëm javën e fundit turistët nga Mbretëria e Bashkuar kanë thyer rekordin e vizitueshmërisë në qytet. Ata më së shumti vijnë për herë të parë dhe ajo që i ka nxitur të vijnë, janë veçantia e këtij qyteti pjesë e UNESKO dhe volumi i aktiviteteve fundjavës. Bazuar në të dhënat zyrtare këtë vit Gjirokastra ka njohur boom vizitorësh.
Vetëm në muajin qershor qytetin e kanë vizituar 25 mijë turistë prej të cilëve më shumë se 90% të huaj, ndërsa vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti, qytetin e kanë vizituar 100 mijë turistë çka është më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Këtë vit në gamën e turistëve të huaj, janë shtuar mjaft turistët nga Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Holanda, Franca dhe Italia, ndërsa në këtë numër, nuk janë përllogaritur turistët vendas që më së shumti vijnë në fundjavë dhe akomodohen në hotelet e qytetit, vizitorë kryeqytetas, durrsakë e shkodranë.
Në bazë të statistikave qeveritare, objekti më i vizituar në Shqipëri ngelet kalaja e Gjirokastrës me një volum prej 100 mijë vizitorësh në 6 muajt e parë të këtij viti.



